Rreth 80 për qind e të anketuarve shqiptarë nuk janë të kënaqur nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Këto rezultate i tregon hulumtimi i opinionit publik i Institutit Liberta i realizuar në prill të këtij viti. “72.2 për qind e qytetarëve shqiptarë mendojnë se MO nuk e ka arritur qëllimin e duhur. 78.5 për qind e shqiptarëve nuk janë të kënaqur me mënyrën se si jetësohet Marrëveshja. 46.8 për qind e të anketuarve, madje mendojnë se asnjëra nga partitë shqiptare pjesëmarrëse në Qeveri gjatë 20 viteve të fundit nuk i ka mbrojtur sa duhet interesat e tyre kombëtare”, tha drejtori i Institutit për Hulumtime Politike dhe Ekonomike “Liberta”, Edmond Ademi.
Zëvendëskryeredaktori i gazetës “Lajm” Sefer Tahiri duke analizuar rezultatet e anketës tha se qytetarët e Maqedonisë e dinë shumë mirë se u bëhet diskriminim i skajshëm në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe ndarjen e buxhetit shtetëror. “Statusi juridik-politik i shqiptarëve vazhdon të konsiderohet si diskriminues dhe kjo shpreh pakënaqësi ndaj zbatimit të MO-së. Kemi përdorim zyrtar të gjuhës shqipe por kjo ndodh vetëm në letër e jo në praktike, pasi gjenden arsyetime banale dhe shqipja vazhdon të mos përdoret”, tha Tahiri.
“Përqindja e shqiptarëve të pa përcaktuar, dhe atyre që nuk do të dalin të votojnë është thuajse e barabartë me përqindjen e atyre që do të votojnë. Personalisht mendoj se shumë vështirë do ta kenë partitë shqiptare në këto zgjedhje të nxisin popullatën shqiptare që të dalë në zgjedhje, posaçërisht nëse nuk ofrojnë diçka të re”, tha publicisti Kim Mehmeti.
28.2 për qind e të anketuarve vlerësojnë se kreu i PDSH-së ka qenë më rezistent ndaj nacionalizmit të Gruevskit, karshi Ali Ahmetit të BDI-së për të cilin vlerësojnë vetëm 8.7 për qind e qytetarëve.
Rezultatet e anketës tregojnë se shqiptarët e Maqedonisë nuk e duan Nikolla Gruevskin për kryeministër. 87 për qind e të anketuarve kanë mëndim negativ për kryeministrin aktual, ndërsa mendim pozitiv kanë vetëm 0.2 për qind. “Pjesa dërmuese e shqiptarëve nuk kanë besim tek ky kryeministër, pasi ai vazhdon të realizojë projekte njëetnike, njëreligjioze dhe një partiake dhe në fund të fundit tenton që nga Maqedonia të bëjë vetëm shtet të popullit maqedonas”, tha zëvendëskryeredaktori i gazetës “Lajm” Sefer Tahiri.
Vetëm 50 për qind e qytetarëve mendojnë se zgjedhjet e parakohshme do të jenë demokratike, po aq është edhe numri i qytetarëve që do të dalin në votime.