Back

Spastrimi i ndryshkut

Shkruan: Kim MEHMETI

Kur politikanët s’duan të pranojnë dështimet e dukshme të tyre, formojnë komisione të proklamuar si zbardhëse të ndonjë të vërtete, a në të vërtetë me qëllim krejt të kundërt: të mbulojnë dhe zbusin turpin që ua ka ndodhur atyre që përfaqësojnë popullin. Kjo mund të thuhet edhe për komisionin parlamentar, të ngritur me qëllim që të zbardhë konfliktin fizik mes deputetëve te PDSH-së dhe të BDIS-së, që para pak kohe ndodhi në Kuvendin e Maqedonisë. Dhe ata që e ndjekin punën e këtij komisioni, lehtë mundë të venë re se politikanët shpeshherë sillen si fëmijë të pavetëdijshëm për atë që u ka ndodhur. Apo se politikanët janë njerëz të cilët më me ëndje i duartrokasin ndriçimit të fishekzjarrëve, se sa lindjes së diellit. Sepse ata edhe nuk i mrekullon realiteti që i rrethon, por besimi se realitet janë thëniet dhe bindjet e tyre.

Edhe deputet shqiptarë që dëshmojnë përpara këtij komisioni, u ngjajnë fëmijëve naiv që mendojnë se kur del përpara “prindit” – anëtarëve të këtij komisioni – mjafton të rrëfehesh për pafajësinë tënde dhe destruktivitetin e palës tjetër, e që të shpërlash veten nga turpi që ia ke sjellë familjes. Të dehur nga dëshira sa më shumë të nxijnë palën kundërshtare, ata assesi nuk arrijnë të shohin se ky komision është shndërruar në një gjyq publik i veprimit partiak të shqiptarëve të këtushëm, se nëpërmjet pyetjeve që shtrohen dhe përgjigjeve që ata japin, shpaloset mjerimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë. Të cilët mbase, duke dëgjuar rrëfimet e parlamentarëve që i kanë zgjedhur vet, i ndjejnë më bindshëm goditjen e grushteve të një gabimi që e bënë vite me radhë: lejuan që fati i tyre të mbetet edhe në duart e atyre të cilët si veprim politik njihnin vetëm metodat e rrugaçërisë.

Duke dhënë sqarime për atë që ndodhi kohë më parë në parlamentin republikan – kur kryetari i PPD-së, shpjegonte ç’është tradhti, e ç’është atdhetari – deputet shqiptarë edhe njëherë shpalosën atë që shqiptarët e këtushëm duhej ta kishin kuptuar vite më parë: se përderisa moralin atdhetarë e mbrojnë ata që politikën e kanë bë treg ku shitet e blihet edhe shpirti njerëzorë, atëherë shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë pse të lodhen për ardhmërinë e vet sepse – ardhmëri nuk kanë! Kjo përbuzje e ndërsjellë mes parlamentarëve shqiptarë që vazhdon përpara komisionit parlamentarë, shqiptarëve të këtushëm ua rikujton vitet e “diferencimeve” nga koha e socializmit, kur dikush i shtynte të kacafyteshin mes veti, e pastaj, e mbikëqyrte përballjen e tyre ku dëshmonin se kush e kishte pas fajin, cilët ishin “shqiptarë të ndershëm” e cilët “destruktiv”. Por, me një dallim të vogël: kacafytjet e atëhershme ndërshqiptare i nxisnin qarqet antishqiptare, e sot ato i nxisin kryesuesit e PDSH-së. Udhëheqësit e një partie e cila thuajse është bërë “falangë” e cila ka marrë për sipër t’i ndëshkojë të gjithë shqiptarët që nuk duan fatin e tyre ta vendosë as Gruevski as Crvenkovski, por vetëm votuesi shqiptarë.

Edhe tani, si dikur – përpara anëtarëve të komiteteve qendrore – përfaqësuesit e shqiptarëve të këtushëm, njollosin njëri tjetrin përpara një ish komunisti të rreshkur – Stojan Andovit , i cili ka përvojë edhe nga “diferencimet” e dikurshme ideologjike mes shqiptarëve edhe nga patriotizmi i demokratëve të sotëm shqiptarë. Dhe bie në sy diçka që shpalosë vetëdijen politike të disa aktivistëve të këtushëm partiak: përderisa thuajse të gjithë deputetët shqiptarë, me mirësjellje dhe plot edukatë u përgjigjen pyetjeve të anëtarëve maqedonas të këtij komisioni, kur i përgjigjen njeri tjetrit, kanë sjellje krejt të kundërt, përlot mospërfillje, ofenduese, përbuzëse. Çka e çon kryetarin e këtij komisioni të qesh dhe mbase të rikujtojë vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kur shqiptarët dëshmonin se cili është komunist më i ndershëm dhe përkrahës më i devotshëm i bashkim vëllazërimit jugosllav.

Pra, këto ditë partiakët shqiptarë diferencohen mes veti në të mirë e të këqij, ndërsa populli që ata përfaqësojnë gjithnjë e më shumë vëren se partitë e tyre janë ndryshkur së tepërmi nga amorali politik dhe ai njerëzorë. Dhe se ai ndryshk duhet sa më shpejtë pastruar. Por, atë spastrim nuk duhet ta bëjnë komisionet parlamentare të kryesuara nga Stojan Andovi, por vetë shqiptarët. E këtë spastrim do arrijnë ta bëjnë vetëm nëse e kanë të qartë se moralin e tyre e mbrojnë edhe të ngjashmit me kryetarin e PPD-së, i cili mbase me vetëdije e nxiti konfliktin fizik mes deputeteve shqiptarë me fjalimin e tij përbuzës dhe ofendues ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me partinë dhe veprimtarinë e Ali Ahmetit. Pra, shqiptarët e këtushëm do mund të thonë se kanë filluar spastrimin e ndryshkut partiak, në çastin kur nga harta e tyre politike do i fshijnë politikanët që moralin politik dhe njerëzorë e kanë barazuar me modelin e kollares që ua stolisë gjoksin. Ata të cilët edhe kur thirren në shenjtërinë e muajit të ramazanit, pinë ujë në foltoren e parlamentit, edhe kur thirren ne rregullat burrërore të kanunit, flasin si burrë që ka harruar se shenja e parë e burrërisë është të njohësh vetveten. Dhe si një burrë i tillë, kryetari i PPD-së, ia numëroi Ali Ahmetit të gjitha gabimet, duke harruar ndoshta atë më kryesorin: ringjalljen politike të “abdulhadave” dhe “fadilave” atëherë kur partitë e tyre, apo ata vetë, ishin vetëm kufoma politike. Pra ringjalljen a atyre të cilët pasi në tregun atdhetarë shitën çdo gjë që mundën, u mbeti të shesin të vetmen që posedonin – vetveten. Me çka u bënë vetëm numra të rëndomtë që kanë aq vlerë sa mund të jenë të përdorshëm në përkrahjen e konceptit antishqiptarë të kryeministrit Gruevski. Dhe tani, kur edhe Gruevski e ka kuptuar se janë përfaqësues të partive me aq anëtarësi sa është numri i familjarëve të tyre (sipas anketave të fundit PDSH-ja ka përkrahjen e 3% të popullatës, ndërsa PPD-ja vetëm 0, 6 %) i mundon halli si të dalin nga lloçi ku i zhyti grykësia dhe verbëria për të përfituar sa më shumë nga profesioni i quajtur atdhetari e rrejshme.

Të tillë siç janë, pra të paditur dhe të verbuar nga pasioni me çdo kusht të jenë pjesë e qeverisë ku nuk qeverisin as vetveten, pushtetarëve shqiptarë, u mbetet e vetmja derë dalëse: t’i barazojnë në fajësi të gjithë shqiptarët e këtushëm. Pra, të provokojnë aq sa njeriu të mos dijë si të mbrojë nderin dhe njerëzoren në vetvete, e kështu të filloj përleshja kur më nuk do ketë rëndësi se kush filloi i pari. Njësoj siç nuk do ketë rëndësi as zbardhja e shkaqeve që nxitën rrahjen mes deputetëve të PDSH-së dhe BDI-së, sepse një gjë që tani është e qartë: rrahja mes politikanëve shqiptarë e bëri të veten – ia mundësoi Gruevskit të gjejë arsye përpara popullit të vet se pse Maqedonia nuk mund të shkojë mëtej në proceset integruese euro-atlantike. Pra, se primitivizmi politikë shqiptarë është ai që pengon përparimin e këtij shteti. Me çka shqiptarët e këtushëm edhe sot e kësaj dite mbetën politikisht atë që ishin dekada me radhë në sistemin socialistë: fajtorë kujdestar për dështimet politike të shtetit.

Përderisa parlamentarët shqiptarë japin dëshmitë e veta përpara komisionit të Kuvendit të Maqedonisë, flitet se presidenti i Shqipërisë paska dërguar një grup personalitetesh që të ndihmojnë në uljen e tensioneve ndërshqiptare. Dhe thuhet se kryesuesit e PDSH-së kanë refuzuar të takohen me të dërguarit e presidentit Bamir Topi. Mbase mirë kanë bërë dhe pa dyshim se ky veprim i tyre do ia rikujtojë Tiranës zyrtare mëkatet që i ka bërë në të kaluarën ndaj shqiptarëve të këtushëm. Edhe atë duke promovuar dhe përkrahur politikan që mund të marrin në qafë një perandori të tërë, e jo më një grusht shqiptarësh të këtushëm. Më në fund, mos vallë Tirana zyrtare aq i përbuzë kryesuesit e PDSH-së sa të mendojë se ata nuk janë të vetëdijshëm se çka janë duke bërë!? Udhëheqësit e PDSH-së bëjnë atë që dinë, por Tirana vonë e kuptoi se në ç’drejtim do i çonin shqiptarët e këtushëm komentet e ATSH-së të viteve të nëntëdhjeta, në të cilat komente shpaloseshin listat e atdhetarëve dhe tradhtarëve të shqiptarëve të këtushëm. Dera e mbyllur e PDSH-së për të dërguarit e presidentit të Shqipërisë, ka bravën e ngutjes së sotme të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që sa më shpjet t’i jepnin legjitimitet qeverisë së Gruevskit. Dhe me këtë të bëheshin mbulesë për ata shqiptarë që shkelën më të shenjtën që u kishte mbetur shqiptarëve të Maqedonisë: vullnetin e tyre politik që vet të vendosin se kush do i përfaqësojë nëpër institucionet më të larta shtetërore.

                            

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)