Shkruan: Kim MEHMETI
Maqedonia e sotme është djep ku bëjnë gjumë mosdurimet ndëretnike, ajo është një kreatur shtetërore e cila si e tillë mbase edhe nuk ka të ardhme, por që mund të shërbejë si shembull se ç’ndodh me një shtet i cili mbetet peng i dyfishtë: i ëndrrave të një populli të vonuar – atij maqedonas dhe i ambicieve të një popullit që e din çka i takon, po nuk din si atë ta merr – atij shqiptar. Qeveria e sotme e këtij shteti është ajo që u këndon ninullë mosmarrëveshjeve ndëretnike, që ato i mëkon dhe i zgjon nga gjumi sa here që ka nevojë t’i alarmojë “mamitë” ndërkombëtarë që të tregohen më të kujdesshme ndaj shtetit që ajo drejton, që të mbrojnë shtetin i cili gjithmonë ka qenë, dhe ende është, pronë i partive në pushtet, e jo i qytetarëve që jetojnë në të. Dhe duke qenë shtet i cili të sotmen e ka mbuluar me jorganin e arnuar nga ndërkombëtarët, duke qenë kreatur shtetërore të cilën më shumë e mbrojnë të huajt se sa faktorët politikë vendas, ke përshtypjen se Maqedonia është si një shtëpi e ndërtuar pa plan, e banuar nga ata që jetojnë aty ngaqë nuk dinë si të ndahen, e jo pse kjo u pëlqen. Me çka Maqedonia bëhet gjithnjë e më “profitabile” për elitat e këtushme politike, e gjithnjë e më e papërdorshme për qytetarët që jetojnë në të. Pra, Maqedonia gjithnjë e më shumë i ngjanë një shtëpie të cilën thuajse të gjithë njësoj duan ta rrënojnë, por çdonjëri pretë që tjetri ta merr i pari kazmën në dorë dhe atij t’i mbetet faji për viktimat që do mbeten nën rrënoja.
Nuk ka dyshim se edhe shqiptarët e Maqedonisë bartin pjesën e fajit për situatën në të cilën sot ndodhet shteti. Aq më shumë, kut ata janë rreth 30 për qindëshi i numrit të përgjithshëm të banorëve të këtij shtet dhe, aq më shumë kur njëzet vite me radhë, ata nuk ia dolën të shohin se institucionet e këtij shteti – të ndihmuara nga partitë shqiptare – atyre ua përcaktuan rolin e elementit “destabilizues” të shtetit. Dhe këtë rol ua imponuan në mënyrën më perfide të mundshme: duke i ngulfatur dhe lodhur me provokime të një pas njëshme, duke i gënjyer me premtime të kota, duke i bindur se gabimet nga e kaluara nuk zgjidhen brenda natës, e me çka ia dolën që këtë popull ta mbajnë në terrin e natës që zgjatë njëzet vjet. Pra, nuk ka dyshim se edhe kur shqiptarët e këtushëm ankohen se vetëm nëpër burgjet e shtetit janë denjësisht të përfaqësuar, ata vetëm e shpalosin të vërtetën se edhe 20 vite pas mëvetësimit të Maqedonisë, nuk arritën të bëhen faktor politike që i ka hije popullit që përbënë 30 për qindëshin e popullatës së këtij shteti. Ata pra nuk arritën të ndërtojnë forca partiake që do marrin përgjegjësinë për fatin e popullit që përfaqësojnë dhe të shtetit që bashkëdrejtojnë, sepse kurrë nuk ia dolën të bëhen bashkësundues të shtetit, por mbetën vetëm zbukurim i ikebanës politike të Maqedonisë, sepse kurrë nuk u bënë parti të mirëfillta, por mbetën në rrafshin e “sekteve” politike që kënaqeshin me diçka perverse: të mirën e vet personale ta ndërtojnë mbi fatkeqësinë e popullit.
Pyetjes se pse partitë e këtushme shqiptare kurrë nuk arritën të etablohen e të bëhen partnerë të mirëfilltë që do u bënin ballë subjekteve politike maqedonase, mund t’i jepet një përgjigje shumë e shkurtë: sepse ato kurrë nuk e kuptuan se pushtetari pa shtet është si kalorësi pa këmbë, e kalin e të cilit e shalërojnë të tjerët, se të bëhesh pushtetar e të mos kesh kontroll mbi institucioneve shtetërore, është sikur të vozisësh veturë i ulur në prehrin e atij që e mbanë në dorë timonin. Partitë e këtushme shqiptare nuk ia dolën të etablohen në subjekte të mirëfillta politike, sepse ranë pre e strategjisë së qarqeve politike maqedonase të cilat vepronin sipas parimit: më lirë të kushton të paguash shtrenjtë qindra shqiptarë, se sa tërë një populli t’ia japësh hisen që i takon. Me çka pushtetarët shqiptarë u bënë mbulesë për humbjen e madhe të popullit të tyre në Maqedoni. Humbje e cila i ngjanë asaj të aksionarit që ka 30 për qind të kapitalit në një kompani, por i cili kënaqet me punësimin si pastrues në godinën e sipërmarrjes ku ai është bashkëpronarë.
Duke u kënaqur me mundësinë që populli të pretë deri sa ata të bëhen kapitalistë, duke u shndërruar në agjenci për punësimin e të dëgjueshmëve partiak, duke u mjaftuar me disa përfitime personale të grupeve të ngushta partiake, duke qenë arrogantë dhe të pa kompromis ndaj çdokujt që i përballë me realitetin se ishin dhe mbetën vasal të partive maqedonase në qeveri, pushtetarët shqiptarë s’kishin si mos bëheshin atë që janë edhe sot: njerëz që Gruevskin e mbrojnë nga shqiptarët. Kështu që, kur atyre u thua se qeveria e VMRO-DPMNE-së ua merr hakun shqiptarëve për 2001, se qeveria e Gruevskit i përbuzë shqiptarët, ata japin shpjegime thuajse dikush i pyet si u shkon muhabeti me partnerët maqedonas kur pinë kafe në bufenë e qeverisë, e jo pse ky shtet është aq koprrac kur bëhet fjalë për të investuar nëpër vendbanimet shqiptare, e aq dorëlirë kur duhet financuar në ato maqedonase. Pra, kur ne themi se 17 milionë euro të investuara për përmendoret e Gruevskit janë vjedhje e parave që paguajnë edhe taksapaguesit shqiptarë, ata menjëherë na këshillojnë të shkojmë të fotografohemi te përmendorja e Skënderbeut në Shkup dhe premtojnë se çdo gjë do rregullohet kur të bëhemi anëtarë të NATO-së e të BE-së. Por në ndërkohë, ata nuk na tregojnë me numra të saktë sa ky shtet ka investuar për shqiptarët, e sa për të tjerët, se kush do e kompensojë humbjen e deritanishme të shqiptarëve të këtushëm si dhe humbjen që do pasojë deri sa Maqedonia të del nga faza e eksperimentit, e të bëhet shtet i mirëfilltë.
Maqedonia e sotme i ngjajë një shteti të përkohshëm, por edhe si i tillë, ai investon shumë në të ardhmen e popullit maqedonas. Ky shtet investon shumë edhe për ta rindërtuar të kaluarën e munguar të maqedonasve etnik. Maqedonia investon shumë në të ardhmen dhe në rindërtimin e të kaluarës së popullit maqedonas sepse ajo nuk bënë harxhimet e duhura për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, sepse këtë shtet e drejtojnë vetëm partitë maqedonase. Parti të cilat nuk e kanë gjithaq problem të gjejnë simotrën e vetë të dëgjueshme shqiptare, e cila do ua mbulojë veprimet që irritojnë shqiptarët e këtushëm. E sa u përket partive shqiptare në Maqedoni, ato thuajse me asgjë nuk dallojnë nga njëra tjetra. Ato janë si motra të një gjaku, motra të përdala, të cilat kur kthehen në familje (kur janë në opozitë) kujdesen për nderin e shtëpisë, e posa i merë me veturë ndonjëri që u ofron kënaqësi dhe jetë të begatë (kur bëhen pjesë e koalicionit qeveritarë) ato harrojnë se me sjelljet e tyre dëmtojnë dhe turpërojnë tërë fisin. Andaj edhe ato nuk kanë ndjesinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për të arritur atë që populli e pret prej tyre, ato janë të pamëshirshme në asgjësimin e njëra tjetrës dhe të pakujdesshme ndaj nderit dhe të mirës familjare. Dhe si të tilla, partitë e këtushme shqiptare ngjajnë në vëllazëri të motrave të përdala.