Back

Arabizimi i gazetarisë shqiptare

Shkruan: Kim MEHMETI

      Është hera e parë që librat e mi promovohen në Shqipëri. Edhe atë në Berat. Ka më shumë se një dekadë që nuk e kam vizituar këtë qytet të lashtë e të bukur. Arrijmë në mbrëmje dhe i drejtohemi sallës së stërmbushur me ata që kanë ardhur të komunikojnë me dy autorët nga Shkupi të Shtëpisë Botuese “Toena”. Se Akademikun dhe Studiuesin letrarë Ali Aliu e njohin dhe e kanë lexuar, e dija ende pa arritur në vendin e ngjarjes. Nuk guxoja ta gënjej vetveten se ndonjë nga Berati do ketë lexuar ndonjë libër timin. Salla ishte e stërmbushur me ata që nuk kishin ardhur vetëm sa të nderonin mysafirët, por që kishin çka të thoshin edhe për veprat e tyre letrare. Dhe në atë sallë kishte shumë aristokraci, një përkushtim dhe qytetari që të bënë të ndjehesh mirë, që t’i arsyeton gjithë netët pa gjumë, që të çon të thuash: ndoshta i nderuari ndjehet si lule, por ata që e nderojnë janë flutura të bukura që marrin polenin dhe vazhdojnë fluturimin tutje.

      Të  nesërmen jemi në Tiranë Në një sallë të Bibliotekës Kombëtare. Ka pakë të ardhur që duan të takohen me ne, e shumë gazetarë. Si gjithmonë, Tirana është e zhurmshme, e ngutshme, ajo nuk ka edhe gjithaq kohë të merret me promovimin e të ardhurve nga “provinca”. Pastaj, ato ditë Tirana merrej me rrahjen e një opinionisti të këtushëm. Andaj gazetarët nuk më pyesnin për librin që duhej përuruar, por ç’mendoj për këtë “sulm mbi gazetarinë e lirë”. U them se askush nuk guxon që fjalës publike t’i përgjigjet me dhunë. Pastaj edhe unë harroj se duhet përuruar librin tim dhe filloj të mendoj për ata që do donin të na imponojnë heshtjen, për të vërtetën se askush nuk i do ata që kritikojnë. Dhe gjatë këtyre viteve sa merrem me publicistikë, e kamë kuptuara një gjë: “të mëdhenjtë” tanë më së shumti i urrejnë “shërbëtorët” që braktisin shpurën e tyre dhe kalojnë në oborrin e ndonjë “pashallëku” tjetër. Sa për vete, gjithmonë jam kujdesur që vlerësimi kritik të mos jetë qëndismë me fjalë “vrasëse” që kafshojë, që depërtojnë në mishin e njeriut dhe prekin palcën e ashtit intim, por çdo gjë të mbetet në rrafshin e bindjes se ai me të cilin nuk pajtohem nuk është armiku im. Andaj edhe kam besuar dhe besoj se vetë fjala publike është ajo që e “vret” apo e madhëron autorin e vet. Më në fund, ne edhe kur shkruajmë për të tjerët, nuk bëjmë asgjë tjetër përpos që kompletojmë portretin tonë si njerëz që kanë (dis)fatin të thonë publikisht atë që të tjerët e flasin, por askush nuk i dëgjon. Pastaj, filloj të mendoj për nderin dhe përfitimin personal, për kurthin në të cilën biem ne që nuk e kuptojmë se është e pamundur të të takojnë që të dyja bashkë. Ai që donë të stoliset me nderin e mendimtarit të drejtë dhe të njerëzishëm, duhet ta dijë se kurrë nuk do bëhet banorë i lagjes ku banojnë të pasurit, kurrë nuk do jetë i ledhatuari i pushtetarëve dhe as që do e varrosin me harxhimet e shtetit. Kështu që në hapësirën publike ka dy lloje “analistësh”: të guximshëm dhe të pëlqyer nga ndonjë “pashallëk”. Por nuk ka të guximshëm që e do dhe e përkrahë cili do krahë politik.   

        Gjatë promovimit në Tiranë, botuesit tim nga Shqipëria i bie në sy mungesa e kolegëve të mi “opinionistë”. Unë i them: Mjafton që kanë ardhur Zija Çela, Flutura Açka dhe disa kolegë të mi të TV “Top-Channelit”. Ndjehem më mirë kur i kam pranë shkrimtarët dhe ata me të cilët  punojmë së bashku në një TV me të cilin mburren edhe shqiptarët e Maqedonisë. Pastaj shtojë: Mbase nuk kanë ardhur sepse u mungon këpuca që e hodhën përpara godinës së kryeministrisë në shenjë proteste kundër dhunës mbi gazetarët. Sikur të vija një ditë më parë, me siguri do u bashkëngjitesha kolegëve që protestuan përpara qeverisë. Por nuk do e hedhja asnjë nga dy këpucët e mia. Edhe atë jo pse i kamë të shtrenjta apo pse nuk do mundesha në Tiranë të blija një palë këpucë të reja, por nga frika se ndonjë nga rojtarët e vlerave perëndimore do më akuzonte se si i ardhur nga Maqedonia, e ku shqiptarët konsiderohen si fanatikë mysliman, unë e kam nxitur atë mënyrë të manifestimit të revoltës të huazuar nga tradita arabe. Pra, do mund ndonjëri të më akuzonte se unë jam “mercenari” që donë të “arabizojë” gazetarinë shqiptare.  

      Pas përfundimit të promovimi në Tiranë më afrohet një i moshuar. Mendoja se donë të ma urojë botimin e librit. Por, jo. Ai ka halle tjera. Më pyet sa është e vërtetë se ne shqiptarët e Maqedonisë jemi shumë religjioz, se ende i mbulojmë gratë tona, se nuk e luftojmë sa duhet “fundamentalizmin islam”. Ai pastaj më akuzon se nuk shkruaj sa duhet për këtë dukuri negative që rrezikon shqiptarinë. E unë i shpjegoj se ne shqiptarët e Maqedonisë, si gjithë bashkëkombësit tjerë, mburremi me trininë tonë religjioze, se nuk lejojmë askush të njollosë ngjyrat e ylberit tonë të mahnitshëm shumëreligjioz, se ne e dimë që në mesin tonë ka edhe mercenarë të ngjyrave të ndryshme. Pastaj i them: neve na shqetëson çdo radikalizëm religjioz, siç na shqetëson edhe fati i pafat i mijëra shqiptareve të reja, kryesisht myslimane, që nga halli martohen me serbë, të cilët kurrë nuk do i merrte për burrë ndonjë serbe e shumica e të cilëve janë invalid, në mesin e të cilëve mund të ketë edhe ndonjë vrasës të shqiptarëve apo boshnjakëve. Pastaj, i rrëfej se neve na shqetëson edhe “greqizmi” që u bëhet qindra mijë shqiptarëve në punë të përkohshme në Greqi, se na trishton ç’thurja e familjes shqiptare, se nuk ndjehemi mirë kur lexojmë se prostitutat tona e kanë zbritur çmimin nëpër rrugicat me “drita të kuqe”, se shtohet numri i narkomanëve në mesin e të rinjve shqiptarë…se…,se…. Ai më shikon dhe nuk më përgjigjet kur e pyes pse nuk debatohet për këto tema, pse jemi të prirë të shohim lepurin në mes të pyllit e jo edhe buallin që kullotë përpara këmbëve tona. Mbase i dëshpëruar nga shpjegimet e mia të ngutshme, ai largohet thuajse i kanoset rreziku ta infektojë nga gripi i derrave. Nuk priti t’i tregojë se ne shqiptarët e Maqedonisë, prej moti nuk kemi hallin si t’i zbulojmë gratë, por si t’i bindim disa vasha të reja paksa ta mbulojnë barkun, të mos i nxjerrin gjinjtë aq shumë jashtë se ua lag shiu, të mos e shpalosin lugun e prapanicës se nga aty mund t’u depërtojë i ftohti deri te thembrat e këmbëve. I moshuari nga Tirana nuk pret t’i them se e di pse ne shqiptarët e kemi atë prirje që me lehtësi të padurueshme të marrim në shënjestër “armikun e dobët” e t’i mbyllim sytë përpara atij që mund të na kundërvihet: sepse ne gjithmonë duam të jemi “trendy”. Dhe duke qenë të tillë, ne gjithmonë bëhemi më “katolik se papa”, andaj sot jemi më amerikanë se amerikanët e deri dje ishim më stalinistë se rusët.

        Të nesërmen nisemi për në Shkup. Shiu që kishte filluar një natë më parë na shoqëron gjatë tërë rrugëtimit tonë. Kalojmë rrugëve të Durrësit. Ato janë shndërruar në lumenj që kanë shtrat por nuk rrjedhin dhe nuk derdhen askund. Ato lumenj mund t’i thajë vetëm dielli dhe mund t’i kalosh me anije e jo me makinë. Për fat, makina jonë bindet të luajë rolin e një barke me motor dhe nuk fundoset në ndonjë gropë të padukshme. Pastaj vazhdojmë tutje. Posa shkëputemi nga rruga Durrës-Vlorë dhe kthejmë majtas për në Rrogozhinë, përballemi me një pamje që nuk kishte mundur ta pjellë as imagjinata ime prej krijuesi: në mes të asfaltit, në shi, aty ku duhej të ishte e shënuar vija e bardhë që ndanë pjesën e majtë nga ajo e djathta e rrugës, dikush e kishte ulur një lypës pa këmbë. E kisha shëtitur tërë botën, i njihja të gjitha strategjitë e lypsarëve që të detyrojnë ta hapësh kuletën e t’u japësh ndonjë monedhë, por kurrë nuk kisha parë diçka të tillë, kurrë nuk kisha parë që dikush kaq mizorisht të keqpërdorë invaliditetin e tjetrit për të fituar para. Im bir dëshironte ta fotografojë. Jo, i them, ka gjëra që duhet shënuar në mbëmendje e jo në memorien e fotoaparatit. Dhe që të dyve na mbërthen heshtja. Ndërkaq, sa kishim filluar të bisedonim  për atë se bujaria dhe burrëria nuk janë si xhami i dritares që e ndërron sa herë që ai thyhet, se lindja është rastësi, por mbi të ndërtohet tërë një jetë e cila përfundon me vdekjen, se njeriu jeton vetëm sa ta arsyetojë lindjen e ta meritojë vdekjen. Mundohem ta thyej heshtjen, ia rikujtojë sa bukur kaluam në Berat, promovimin në Tiranë, i flas për zhvillimin e bujshëm të mediave në Shqipëri. Por, ai thuajse as që më dëgjon. Nuk e kuptoj se vallë u hidhërua pse nuk e ndala makinën ta fotografonte lypsarin e pakëmbë të lënë në mes të rrugës, e të cilit maunat dhe makinat sa nuk ia shkelnin kokën, apo pse përnjëherë e kuptoi se të gjithë ne jemi të lënë në mes të rrugës së jetës ku kemi dy zgjidhje: o të stolisemi me nderin që na e dhurojnë dhe ua dhurojmë të tjerëve, o të pasurohemi e të vetëgënjehemi se nderi mund të blihet me para.