Back

Mehr Licht-Reviste Letrare,Interviste me Kim Mehmetin

 Mehr Licht-Reviste Letrare,Interviste me Kim Mehmetin

Me shkrimtarin Kim Mehmeti

Mehr Licht! 25 (2005)

1.Mehr Licht:    Ju jeni bërë i njohur në letërsi në vitin 1986, pas botimit të librit të parë, „Pluhuri që mbin“.  Sipas kritikës, që në këtë libër gjejmë konturet e një proze, që sot është e pakalueshme për zhanrin tregimtar. Në të vërtetë nga çfarë porte hytë në letësi, ç´kujtime iu sjellin fillimet tuaja krijuese?

 K. MEHMETI: Librin e parë e botova pasi kisha bredhur nëpër botë, nëpër jetë e nëpër profesioni. Pasi kisha kaluar gjitha shfryrjet rinore, pasi kisha sprovuar veten në situata të ndryshme, iu ktheva “ujdhesës” ku e ndieja veten të sigurt, ku mundesha të jem vetvetja. Libri i parë erdhi pas disa botimeve nëpër periodikun kroat. Atëherë isha një i ri i cili kishte frikë ndaj fjalës së shkruar, të cilin tani e rikujtonë po i njëjti frikacak, po me më shumë rudha në fytyrë, në shpirt dhe me flokë të thinjura. Pastaj, atëher unë isha një shkrues me pakë vite jetes, me më shumë entuziazëm, me ëndrra të panumërta nga i cili u kalit ky i sotmi që ka më shumë vite, por sasi të zvogluar të entuziazmit dhe më pak ëndrra. Ajo që është e përbashkët me autorin e athershëm të librit të parë me këtë të sotmin që ka lënë pas vetes më shumë tituj, është bindja e njëjtë e athershme dhe e tanishme se duhet punë, duhen dëshmi, duhen lënë gjurmë që të guxosh ta quash veten shkrimtar. Se shkrimtar mund të ishin gjith ata që i adhuroja, po jo edhe unë i cili botën time krijuese e mbaja të mbyllur në vete. Prandaj kur të tjerët më quajtën shkrimtar, unë nuk e qerasa veten e as i bleva diçka peshqesh po i thash: ki kujdesë, në këtë lagje jetojnë ata nga librat e të cilëve mësove të duash krijimtarin letrare dhe që ngjallën nervin tëndë krijues, të cilët duhet gjithmonë t’i respektosh, por në këtë lagje më të zhurmshëm janë “turistët” letrarë dhe të vetëpëlqyerit. Përjetimi i librit të parë është i përafërt me ndjenjën e humbjes së virgjiritetit. Libri i parë, njësoj si edhe humbja e virgjiritetit, mund të jet ai lezeti që nuk harrohet, por edhe mund të të trondit aq sa kurr më të mos mundesh të  cullakosesh para një femre, ta zëmë. Të të ngjall frikën se diçka me ty nuk është në rregull. Për fat timin, qysh me librin e parë më thanë se jam shkrimtar njerëzit që u besoja. Më quajtën shkrimtar ata para krijimtarisë së të cilëve edhe sot përkulem, si për shembull i ndjeri Anton Pashku të cilin e kisha idhull dhe mendoja se mjafton ai të thotë një “po” e unë të ndjej madhështinë e krijuesit. Dhe ndodhi ai takim kur ai më tha diçka më shumë se “po”, e që në shpirtin tim u vulosë si “çmim” më i lartë të cilin e kam marr deri tani për krijimtarin letrare. Me librin e parë, krijuesi hap portat e “mbretërisë së vet” ku të gjithë, edhe ata që e kuptojnë edhe të tjerët, mund të hynë dhe të shohin gjitha “orenditë”. Aq më shumë, mbi “mbretërinë tuaj” krijuese tani më ju nuk keni pushtet mbrojtës as mundësi çkadoqoftë të rishpjegoni, andaj edhe jetoja me bindjen se duhet patur kujdes çfar duhet vendosur mes dy kopertinave. Apo, se dy kopertinat që mbyllin librin, janë dyer që përcaktojnë fatin e krijuesit. Andaj edhe e thash: librin e par edhe sot e ndiej si një trishtim të lezetshëm, që e krahasova me humbjen e virgjiritetit.  Edhe atëher edhe tani mendoj se shkrimtari ose vjen ose jo. Nuk mbështes qëndrimin se libri i parë duhet të jet vetëm paralajmërim i vlerave të ardhshme, por thjeshtë është kumt i saktë se ka ardhur shkrimtari, se ka sjell shenjën njohëse të potencës së vet kreative e cila mund të merr fund edhe me atë libër, por askush nuk mund të thot se është ardhacak që ka gabuar rrugën. Andaj edhe librin e parë unë e ndjeja si anije me të cilën fillova lundrimin nëpër detin pa brigje të krijimtaris letare. Aso kohe, ende shkruaja vetëm në gjuhët sllave (serbokroatisht e maqedonisht). Për shkak të rrethanave jetësore – shkollimit në atë gjuhë – gjuhën shqipe e bartja me vete të fjetur, e flisja rralë, në ditët kur kthehsha në shtëpi (deri në vitin 1984 kam jetuar dhe punuar në vende të ndryshme, jasht vendlindjes). Pastaj, jam i gjeneratës së bibliotekave të begata në gjuhët sllave, dhe eturin për lexim – në munges të përkthimeve në gjuhën amtare – e realizonim duke mësuar gjuhët në të cilat gjenim të përkthyer gjith titujt që përbëjnë “Bibilotekën botërore”, që i botonin qendrat e athershme kulturore Beogradi, Zagrebi, Sarajeva…  Por kisha vendosur që librin e parë ta botoja në gjuhën e nënës, edhe pse me punime letrare më prezent isha në mjediset tjera krjuese të Jugosllavisë së athershme. Nuk e kisha problem të botoj librin e parë në gjuhën maqedonase, ta zëmë. Por, nuk e bëra këtë jo shkaku i ndonjë “shqiptarie” që do më bënte më shqiptarë seç t’a përcakton lindja, por nga arsye shumë praktike: më dukej apsurde të mundem të mësoj gjuhët e huaja e të harroj atë të ninullave me të cilat më kishte zënë gjumi dhe kisha ëndërruar si fëmijë. Kisha frikë se kështu mund të humbi stinën më të dashur të jetës – atë fëminoren – pa të cilën edhe jetën do ta kisha të cunguar. Andaj, edhe libri im i parë ishte përmbledhje me tregime që i përktheja me ndihmën e shokëve, apo si përkthim i tërësishëm i tyre i disa tregimeve. Kështu, qysh atëherë i thash vetes:  mund të shkruash në cilën gjuhë të duash dhe të dëshiroj të bëhesh poliglot, por përderisa lë anësh gjuhën e nënës, ti ke cunguar vetveten, ke humbur melodin e ninullave fëmijërore. Dhe u ula të ringjalli gjuhën e qumshtit, kështu që në fiëllim  lexova fjalorin, pastaj e përshkruajta me dorë, në tetë fletore,  “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës dhe fillova të ëndërroj si në fëmijëri –  në gjuhën e ngrohtësisë së ninullave kur nëna ime, ndoshta edhe nuk kishte mundur të parashikoj se është duke rritur djalin i cili do t’i sjellë shumë kokëçarje dhe lotëderdhje, shaku i ndarjeve të shpeshta kur unë bridhja nëpër botë e nëpër jet, e ajo shetiste nëpër pagjumësinë e vet duke pëshpëritur lutje që të më prijë e mbara. Dhe gjitha të arriturat e mia eventuale, janë frut i lutjeve të saja.   

2.Mehr Licht:Duke e ndjekur në vijimësi krijimtarinë tuaj, nga libri i parë “Pluhuri që mbin”  për të vazhduar me vëllimin me tregime “Dënesje”, “Bolero”, “Fati”, romani i parë “Shtatë net dënesje”, vëllimet e tjera me tregime”Fati i Fatushës” “Mbledhësi i luleve të vyshkura” e deri te romanet e fundit “Fshati i fëmijëve të mallkuar”, “Atje dhe dikur” dhe “Ritet e Nishanes” dallojmë një evoluim dhe përsosje të gjithherëshme të teknikave narrative. Gjatë gjithë këtyre viteve, çfarë ka mbetur prej shkrimtarit, Kim Mehmeti, i prezantuar në librin e parë, dhe çfarë ka ndryshuar, te Kim Mehmeti në roamnin e fundit?

 K. MEHMETI: Kam bindjen se deri në moshën  25-30 –të vjeçare, njeriu është mbledhës i nekatrit të jetës, shijues i ngutshëm i saj dhe se pas kësaj moshe, njeriu nuk bëhet as më i ditur as i shtohen dhuntitë, por bëhet më i shkathtë dhe më racional kur përdor diturin dhe aftësitë që posedon. Andaj edhe Kimin e sotëm me asgjë nuk e konsideroj si shkrimtarë më të mirë se atë të librit të parë, as ndjej se ka ndodhur ndonjë zhvillim im, pos që tani nuk jam më as ai mbledhësi i vrullshëm i nektarit të jetës, as ai shijuesi i ngutshëm i dikurshëm, ai i padurushmi që fluturonte në mjegullën e iluzione që isha dikur. Pra, ky i tanishmi nuk e shikonë jetën dhe botën  nga  e njëjta “dritare” si atëher kur  shkruaja tregimet e para apo romanin e parë “Shtatë net dëneseje”.  Ato ishin vite kur, si çdo krijues i ri, gjurmoja përgjigjet e  pyetjeve që skanë shpjegim. Kur e zbulova të vërtetën se para që të kërkosh përgjigje, duhet të mësoshë të mbarështrosh pyetjet, ishte vonë të korigjoja qëndrimet e mëparshme sepse më kishte ikur rinia. Por, mburrem që në mua nuk ka mbetur ndiesia se kam qenë gjurmues i kotësisë, se gjurmët e athershme letrare duhet t’i nënshtrohen ndonjë retushimi. Ato vepra jan krijime të Kimit që nuk ekziston sot. Tani, nga kjo largësi kohore, kur më shoqërojnë thuajse më shumë dilema dhe hamendje se sa në rini, e kam më të qartë se duhet të jem më i ndershëm ndaj vetvetes dhe të mos e ngarkoj me gjëra që nuk mund ti bart. Rinia është përplotë vrull, plotë energji, me ndjenjën se koha nuk ikë, se është lumë që nuk shteret. Por, ka diçka që vjenë pa trokitur në derë, në heshtje, që hyn në jetën tonë  pa e hetuar dhe që  ua sjellë lajmin i cili ua rikujton se gjat ecjes nëpër jetë keni ndryshuar ju, ka ndryshuar realiteti rreh jush dhe në qenien tuja, se “Makondoja” juej krijuese pasurohet me “lagje” të reja, se shumë dilema të vjetra jan heshtur dhe të lodhura nga pritja t’i ushqeni me shpjegime domethënëse, ua kan lënë vendin të sapongjallurave,  se shumë të vërteta të dikurshme i ka mbuluar pluhuri dhe  u ngjajnë dashuriçkave të harruara nga e kaluara që ia kanë lëshuar vendin Mrekullisë së sotme që jetoj. Prandaj nuk dua të flas për përsosje të teknikave rrëfyese, por për ndryshimin e këndvështrimit krijuese që e imponon një energji tjetër krijuse në mu, të cilën e sjell mosha, apo edhe përvoja jetësore dhe  krijuese. Rudhat që parqiten në fytyrë dhe shpirt, lënë gjurmë edhe në “Makondën” krijuese, ndikojnë në atmosferën e bile edhe në temat që trajtoni. Apo thënë ndryshe, Kimi i tregimeve të para nuk ka me çka të krahasohet më këtë të sotmin sepse ai i athershmi i takon një vëzhguesi me ambicie, bile edhe me afinitete, të një moshe tjetër, e ky i sotmi është ulur pranë një dritareje të kthyer nga e kaluara e thellë sa vetë jeta ime  dhe nga ardhmëria që bëhet gjithnjë më e shkurt, më kanosëse.  Andaj, ky i sotmi me asgjë nuk është as më i mirë as më i keq se ai i djeshmi, por është një vëzhgues i cili as mprehtësin e shikimit nuk e ka të njëjtë me atë të dikurshmin. Kimi i sotëm   ndërlidh në nyje senzibilitetin dhe dhuntin krijues të një individi që  pas cdo çasti të ardhshëm nuk është ai i mëparshmi. Sa do që të tingëlloj e pabesueshme, gjat rileximit të punimeve të mia të para letrare e ndjej veten njësoj sikur kur rikujtoj moshën e athershme: më jan të largëta (jo të huaja) aq sa edhe vet mosha kur janë shkruajtur. Tani kurqysh nuk mundem të shkruaj ashtu, të ndjej ashtu, të krijoj aso atmosferash,  njësoj si nuk kam mundur atëher të shkruaj “Ritet e Nishanes” të kësaj moshe. Por, ato tregime dhe romane janë të atij që ishte atje dhe dikur, e kaluara letrare dhe jetësore e të cilit lidhet në nyje te ky që shkruan këto rreshta sot dhe këtu.  Andaj, njejtë siç ndryshon vrulli i gjakderdhjes, funkcionimi i trupit, varëishst nga mosha, ashtu pëson ndryshime edhe gjendja shpirtërore, hapen dritare të reja  dhe mbyllen ato të vjetrat në puntorinë e quajtur imagjinatë krijuese. Nuk ndryshon teknika narative, por ndryshon naratori. Kurr nuk kam patur ndjenjën se tani shkruaj ndryshe, se jam më i mirë apo më i dobët se ai i mëparshmi, por ulem të shkruaj me ndjenjën se bëjë diçka të re, se kam nevojë të rrëfej diçka të parrëfyer. Pra, jo që të rrëfej ndryshe, por të shënoj në letër të parrëfyerat. Dhe është krejt normale rrëfyesi i sotëm në mua dhe ai që kam qen dikur të mos dallojnë për kah dhuntia, por vetëm për nga vrojtimi që edhe të imponon thurjen e asaj që don t’ia ofrosh lexuesit.   

3.Mehr Licht: Në krijimtarin tuaj, metafizikja dhe realja, lufta për ekzistencë dhe vuajtja, frika dhe pasiguria, dhembja dhe ankthi, magjia dhe vdekja, krijojne shtratin e trazuar prej ku ngrihet rrefimi.  Ju mund të konsideroheni një shkrimtar metafizik, apo vetë jeta, ekzistenca eshtë një përpjekje për të deshifruar kodet e pazbërthyeshme?

 K.MEHMETI: Jeta është magjia më e ndërlikuar të cilën çdonjeni e përjeton ndryshe. Andaj edhe çdonjëre prej nesh është njëfar magjistari që mundohet të zbuloj përbërjen mbi të cilat qëndrojnë themelet e forta të dëshirës të ecim rrugës e cila ka fundë të paqartë. Jetën time e përbëjnë ëndrrat, iluzionet, e tërë ajo që edhe pa dëshirën time pjellë imagjinata…., pra, jo vetëm realja, jo vetëm ajo që mund të preket dhe që ka formë dhe përbërje të saktë. Nëse është ashtu, atëher si të ndaj ëndrrat, të imagjinuarën,  nga jeta ime reale, kur edhe ato janë pjesë e magjisë që mbetet pa shpjegim. Boshti i durueshmërisë dhe bukurisë së jetës, sipas meje,  qëndron në mospasjen zbërthim – formulë të saktë – që do të arsyetonte lindjen e do të shpjegonte qëllimin e vdekjes së njeriut. Nuk ka dyshim se lindje-vdekjet janë më të përsëritura mbi këtë rruzull toksorë, por gjithmon kan freskinë thuajse ndodhin spari herë. Në të vërtetë, ato edhe janë të papërsëritshme, për çdonjenin prej nesh. Dhe si pika të vetme që dëshmojnë se dikush ka ardhur dhe ka shkuar, ato përbëjnë boshtin e bindjes sime se në jetën e njeriut çdo gjë ndodh vetëm njëher, se asgjë nuk përsëritet, se lumi kurr nuk mund dy herë të kalojë mbi të njëjtin gur. Por, lumi mban kujtesën e gurëve që ka shpërlarë e të cilën e përcjell si ëndërr të largët mbi ato brigje që do ti lagë gjat rrjedhës së mëtutjeshme. Pra, ne jemi vetëm nyje ku lidhet ajo që kemi qen me atë që do ndodh në çastin e ardhshëm, trajtë që mbase edhe vështirë mund të ket kohë të tashme. Andaj, çështë e kaluara jonë? Vetëm mbamendje e cila ndikon në ndjenjat tona si çdo gjë e paqenë – si ëndrrat,  apo si çfardo qoftë tjetër që pjellë imagjinata. Prej moti jeta do ta humbiste kuptimin sikur të arrinte Mjeshtri i Lojës që do të shpjegonte arsyen e saj. Theksoj arsyen, se nëse vëreni, të gjith ne, sbëjmë gjë tjetër përpos që duam të arsyetojmë ekzistencën tonë. Kush duke krijuar e kush duke shitur pallavra, mirëpo të gjithë ne kemi ndjenjën se ndershëm paguajmë çmimin e duhur për kohën që na është dhënë në disponim. Ndërkoh, “ora e bardhë” e jetës sonë përbëhet nga një “tik-tak” kohor, të cilin ende pa e dëgjura mirë bëhet e kaluar. Në mes të këtij “tik-u” të lindjes dhe “tak-u” të vdekjes, derdhet “lumi” që vetëm njëher mund të kaloj mbi të njëjtin gurë dhe zhurmon rrëfimin e vet për udhëtimin e bërë duke mos e ditur se për kend ka rëndësi ai rrëfim: për rrëfyesin apo për ata që ende janë udhëtar drejt vdekjes. Kuptohet, nuk kam  pretendime të jap shpjegime për enigmat që mbase edhe nuk kan shpjegim, por si krijues mbështetem në bindjen se njeriu është një guac  e mbyllur, se është përbërje nga ajo që i ndodh, ajo që ëndrron dhe ajo që dëshiron të jet. Pra, është brum i ngjeshur nga realja, por që piqet në furrën e ireales. Prandaj ai duron dhembjen, vujatjet…, përballë të gjitha që mund t’ia ngarkosh, përfshi edhe vdekjen, shkaku se sa herë që nuk gjen arsye të jetoj, fillon ta pjekë vetveten në furrën e shpresave dhe iluzioneve të kota. Prandajë edhe çdo njeri, në njëfar mënyre, ecë nëpër jetë me vendimin e të dënuarit me vdekje në xhep, po i cili gjithmon vetëgënjehet se ndoshta në çastin e fundit do të vijë lajmi se “xhelati” është lodh dhe se“egzekutimet” e mëtutjeshme anulohen. Pra, jeta është njëlloj frike e pafundme nga ajo që do të ndodh, jeta është vdekje e ngadalshme, e ndarë në vite, muaj, ditë, orë, minuta, sekonda, që të përfundoj me një frymëmarrje që ikë duke mbyllur pas vetes derën për të marr frym.  Më në fund edhe ato që ne i quajm kënaqësi kulminante në jet, qëndronjë mbi themelete e frikës. Ç’është, për shembull dashuria? Vetëm një frikë e pandërprerë mos humbin njeriun i cili i jep kuptim jetës sonë, mos mbetemi pa krijesën që i mban të gjalla epshet tona.  I duam fëmijët tanë shkaku i frikës se mund edhe t’i humbim. Ngutemi të përfundojmë veprën e re letrare nga frikë se ndoshta nuk do të kemi kohë ta përfundojmë. Andaj edhe dashuria e mirfilltë është një lloj “vuajtje” dhe “dhembjeje” ndoshta nga më të pastrat, shkaku se tërë jetën jemi robë vullneatr të  tyre. Prandaj në veprat e mia frika qëndron aty ku duhet të jet: në vendin e nderit, në piedetsalin me të lartë të jetës.   4.Mehr Licht: Në pjesën më të madhe të librave tuaj, shfaqet sfondi i shkretëtirës. Nga vjen ky vision ku të ngjan se dyluftimi i përjetëshëm është midis njeriut që këkron oazin dhe shkretëtirës që i mbulon të gjitha anët?

   K. MEHMETI: Si i ri kam jetuar në hapësira shkretinore, e kam ndje vogëlsinë e njeriut përball atij “labirinti” të paskajshëm ku çdokund i keni dyert e hapura, por gjithmon keni frikë se mund të humbni rrugën dhe kurrë të mos gjeni dalje, ku ju trishton mundësia të udhëtoni pa “adresë” dhe pa udhërrëfyes . Këtë ndjenjë e kam patur vetëm edhe në hapësirat e paskajshme ujore. Më vonë e kuptova se tërë jetën njeriu e kalon në “shkretëtirë”, duke u munduar të gjejë strehimoren e vet të sigurt të qetësisë shpirtërore. Mbase edhe kërkon të pamundurën, i gënjyer nga fatamorgana, njësoj si në shkretëtirë ku gjatë ditës, keni ndjenjën se nga të gjitha anët shihni ujë dhe plepa të lartë.  Njeriu e harxhon jetën e vet duke pushtuar  hapsiart e dëshirave, iluzioneve, dilemave, hutesës…, duke u munduar të bind veten se nuk është kalorës i vetmuar, i armatosur me ngushllimin e madh se nuk është i braktisur. Ndërkaq shkretina është trishtuese, sepse ajo i gllabëron gjitha iluzionet se dike mund të arrini, e lodh shikimin, ua pamundëson të vetëgënjehi se keni bashkëbisedues tjetër përpos vetvetes. Pra, në shkretëtir hapur e shihni se ju mungojnë të gjitha ato që i keni në mjediset urbane, por që jan vetëm iluzion. Sepse, edhe në mes qindra njerëzve, ju jeni ai i vetmuari i cili edhe kur bisedon me tjerët, fletë që të krijoj mundësi të dëgjoj vetveten,  i cili edhe kur orvatet t’i njeh të tjerët, në të vërtet ecë rrugëve të vetnjohjes. Pra, njeriu ka vetëm një bashkëbisedues besnik – vetveten, sepse është brum i cili edhe kot e ka të merret me të pamundurën – të njoh tjetrin, atë që ndryshe ndjen, ndryshe shijon, me tjetër peshore matë jetën. Pastaj, njeriu frikohet nga hapsirat e pakufizuara, ai donë të ket adresë të saktë vetëm shkaku i frikës që mos përballet me të vërtetën se shoqërues të vetmin në jetë ka vetveten. Ndoshta askund si në shkretëtirë nuk e keni ndjenjën e vetmitarit të cilin në këtë jet e shoqërojnë vetëm  hutesa dhe frika e tij se ku është nisur dhe se vallë ç’udhtim e pret. Në shkretëtirë e kuptoni se rrugët e jetës nuk kanë udhërrëfues, se njeriu nëpër jetë ecë i prirë nga vetëbesimi, dëshirat dhe iluzionet.

 

 

 

5. Mehr Licht:Fati i femrës (“Fati i Fatushës”) është një dimension i theksuar i krijimtarisë suaj. Çfarë është femra për krijuesin dhe për ju kjonkretisht

K. MEHMETI: Femra është një nga shtyllat që i japin kuptim dhe përmbajtje jetës sime. Në ngrohtësinë e tyre kam gjetur prehje edhe atëher kur çdo gjë më është dukur e pakuptimt dhe e kot.  Andaj edhe shpesherë në krijimtarin time femra është boshti rreth të cilit ndërlidhet çdo gjë tjetër. Por, jo edhe boshtë i njëtrajtshëm. Përderisa në një pjesë të krijimtaris sime ajo është kopsht parajsian i kënaqësive pa të cilat nuk do të kishte kuptim jeta, në pjesën dominante të krijimtarisë sime ajo është një botë që ngërthen në vete thelbin e mbijetesës së shoqërisë shqiptare.  Femra e shoqërisë sonë për mua mbetet shtyll mbi të cilën qëndron edhe aq e lavdruara “burrëri” shqiptare. Mbrojë qëndrimin se gjat hostirisë sonë, femra shqiptare është ajo që më bindshëm ka mbajtur mbi shpinë të vet dhembjen dhe vuajtjen kolektive dhe familjare. Është e vërtetë se burri ka marr pushkën që të lë kokën, por gruaja është ajo që ka mbajtur magjen e ndezur që të mbaj gjall pjellën e vet edhe atëher kur burri kurr nuk është kthyer në kullë. Edhe sot ajo është “trimëresha” që rritë fëmiun edhe kur mbetet në mosh të re pa burrin i cili ia mësyn Italisë apo Gjermanisë ku edhe harron nga ka ardhë dhe çka ka lënë në vatr&e